Meta: Kryehakeri Është Rama, prokuroria të hetojë patronazhistët
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk i kurseu akuzat në drejtim të qeverisë “Rama” sa i përket çështjes së sulmit kibernetik, pas të cilit thuhet se fshihet Irani. Meta pohoi se kryehakeruesi është Rama, i cili sipas tij nxori të dhënat e mbi 1 milion shqiptarëve.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duke iu referuar një urdhëri të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës e cila iu ndaloi mediave që të publikojnë të dhënat që lidhen me sulmet kibernetike, siç ishte dhe hakerimi i e-mailit të ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, shprehet se problemi në këtë vend nuk janë mediat, por vetë kryeministri Edi Rama.
Meta akuzoi Ramën se ua dha të dhënat patronazhistëve për t’i bërë presion qytetarëve të Shqipërisë.
Ilir Meta: “Nëse prokuroria do të hetonte, nuk do të ishim në këtë situatë, shkelin ligjin, shkelin të drejtat e qytetarëve se kanë kapur prokurorinë prej fyti. Vendimi për mediat nuk zgjidh gje. Çfarë do ti besh medias ndërkombetare. Ketu i gjithë shteti i Edi Ramës ka dalë lakuriq. Hakerimi i parë është me miratimin e Edi Ramës.
I pyetur në cilësinë e ish-presidentit për një mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare për këtë çështje, Meta tha e kemi të bëjmë me një cënim të sigurisë nga publikimi i të dhënave.
Ilir Meta: Cënimi i sigurisë kombëtare, nuk ka fëmijë që nuk e kupton në çfarë kushtesh jemi.
Për kreun e PL-së pranvera e protestave në vend ka nisur tashmë, ndërsa sfidë për partitë e opozitës është menaxhimi i padurimit të shqiptarëve për të larguar sa më parë këtë qeveri.
