Muxhahedinët nuk do të largohen as pas sulmit kibernetik, Rama: Duhet ta ndihmojmë SHBA-në
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria nuk do të heqë dorë nga mbështetja e opozitës iraniane pavarësisht sulmeve kibernetike që çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.
Në një intervistë për Der Spiegel Rama thotë se duhet të ndihmojmë edhe SHBA-në pasi shqiptarët u detyrohen shumë.
DER SPIEGEL: Zoti kryeministër, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin pak ditë më parë. Diplomatët kishin vetëm 24 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Çfarë fshihet pas kësaj?
Edi Rama: Irani sulmoi vendin tonë me një sulm masiv kibernetik. Qëllimi ishte të shkatërroheshin të gjitha shërbimet digjitale të qeverisë që ne kemi ndërtuar me shumë mund përgjatë shumë viteve. Falë specialistëve tanë të IT-së, ekspertëve nga Microsoft dhe qeveria amerikane, ne arritëm të zvogëlojmë dëmin.
DER SPIEGEL: Sfondi i sulmit është, me sa duket, prania e disa mijëra anëtarëve të opozitës iraniane, të cilët po punojnë aktivisht për ndryshimin e regjimit në Iran dhe po bashkëpunojnë me SHBA, të ashtuquajturit Muxhahedinë të Popullit (MEK). Në vitin 2013, vendi juaj pranoi MEK-un nga Iraku me kërkesë të Uashingtonit. Do të parapëlqenit që të largoheshit sot nga ky grupim?
Edi Rama: Jo, Shqipëria ka një traditë për t’u krenuar për të strehuar njerëzit në rrezik. Dhe aleanca jonë strategjike me SHBA-në nuk mund të nënkuptojë thjesht se Uashingtoni ka gjithmonë mbështetjen tonë. Ndonjëherë duhet ta ndihmojmë edhe SHBA-në. Shqiptarët u detyrohen shumë amerikanëve.
