Plagosje, hashash dhe mashtrim, arrestohen katër persona të kërkuar nga Policia e Shkodrës
Katër persona të kërkuar janë arrestuar në 24 orët e fundit në Shkodër. Mes tyre ishte edhe një 30-vjeçar i dënuar me 13 vite burg pasi në vitin 2018 tentoi të vrasë një mekanik në Vaun e Dejësit.
Ardit Brahimi, 30 vjeç, u vu në prangat e policisë së Shkodrës, më shumë se 4 vjet pasi tentoi të vrasë pronarin e një servisi në Vaun e Dejësit.
I riu banues në fshatin Trush, gjatë kohës që ishte në kërkim, është dënuar nga Gjykata e Apelit Shkodër me vendim të formës së prerë me 13 vjet burg.
Ai u shpall fajtor për veprat penale "Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Sipas vendimit, Ardit Brahimi në në maj të vitit 2018, kur ishte 26 vjeç, sulmoi me armë zjarri Ermir Simonin, asokohe 43 vjeç.
Ngjarja u shënua në ambientet e servisit të vëllezërve Simoni në Vaun e Dejës, ndërsa nga të dhënat shkak u bë një konflikt për mosriparimin e një makine.
Veç 30-vjeçarit, edhe 3 persona të tjerë në kërkim, përfunduan në prangat e policisë së Shkodrës në 24 orët e fundit.
Edison Kroni, 26 vjeç, banues fshatin Benë, Vau i Dejës u vu në pranga pasi rezultoi i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për kultivim të bimëve narkotike.
I riu, sipas vendimit ka kultivuar bimë narkotike në fshatin Bene të njësisë administrative Shllak, në bashkëpunim me vëllanë e tij, Emanuel Kroni, i cili po vuan dënimin për të njëjtën vepër penale.
Ndërkohë një 29-vjeçar u vu në pranga si pjesë e grupit prej 14 personash të përfshirë në kultivim të kanabisit në fshatin Vallas, ku në qershor të këtij viti u sekuestruan 246 kg lëndë narkotike.
6 persona u vunë në pranga në kushtet e flagrancës, ndërsa 8 të tjerë u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit
Një 58-vjeçar ndërkohë është vënë në pranga pasi ishte dënuar me një vit burg për mashtrim.

