Bie alibia e Ramës se nuk u vodhën të dhënat, VOA: Publikimi i tyre cënon rëndë sigurinë kombëtare
Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka vendosur ndalimin e çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, pasi ato hodhën në rrjet, në faqen “Homeland Justice”, shkëmbimet e postës elektronike të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare Gledis Nano, të cilat u rimorën më pas nga mediat shqiptare.
Njoftimin për urdhërin e prokurorisë e bëri të ditur drejtoria e Përgjithshme e policisë.
“Zëri i Amerikës” raporton se gjatë ditës së hënë, një seri email-esh të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nxorrën në pah shkëmbime informacionesh mbi persona të kërkuar, mbi atentate të mundshme ndaj politikanëve, si në rastin e ish-drejtuesit të opozitës shqiptare Lulzim Basha, apo kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, si dhe komunikime të zotit Nano me partnerë të huaj, për çështje sensitive, të konsideruara sekrete.
Publikimi i tyre, tregoi se përkundrejt deklarimeve të autoriteteve, se të dhënat zyrtare nuk janë prekur, sulmi kibernetik duket se ka depërtuar në thellësi. Kryeministri Edi Rama deklaroi se “agresioni nuk ia ka arritur fare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”.
Ndërkohë që në njoftimin e saj mbi vendimin e Prokurorisë, policia deklaroi se “publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”.
Lidhur me këtë çështje Agjencia britanike e lajmeve “Reuters”, raporton se në këto email-e flitet për një plan për të vrarë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Reuters thekson se edhe vetë qeveria e Kosovës e ka pranuar ekzistencën e një komploti për vrasjen e kryeministrit.
“Kryeministri Albin Kurti u njoftua për këtë çështje në vitin 2021 nga Shërbimi i Inteligjencës i Kosovës dhe institucionet e sigurisë morën të gjithë masat për të parandalur një veprim të tillë,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Më tej deklarata thekson se rasti nuk është bërë publik me qëllim që të mos përhapej panik.
Reuters thotë se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë zbuloi një plan për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria.
Gjithçka thuhet se bëhej për të sjellë destabilizime në Shqipëri dhe Kosovë.
