Opozita thirrje prindërve dhe studentëve: Bojkot mësimit, protestoni!
Opozita i ka bërë thirrje prindërve dhe studentëve të bashkohen në protesta për të shpëtuar arsimin, të cilin e shohin në rrezik nga qeveria Rama. Deputetët denoncojnë se paratë e vjedhura për rindërtimin e kanë dështuar projektin, teksa mbështesin bojkotin e studentëve nëse nuk u plotësohen kërkesat.
Nga dera e Ministrisë së Arsimit, deputetja demokrate Albana Vokshi është shprehur se qeveria dështoi me projektin e saj për rindërtimin e shkollave, teksa paratë i futi në xhep.
Vokshi: Jam takuar, jam kontaktuar me disa prindër fëmijët e të cilëve mësojnë nga klasa e parë në klasën e katërt në shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno” në Tiranë. Vetëm diën e parë të shkollës janë gjendur përballë një vendimi të palogjikshëm, absurd të drejtorisë rajonale, por edhe të drejtorisë së shkollës që fëmijët e tyre nuk do mësojnë më në shkollën “Mihal Grameno” edhe pse banojnë pak metra larg shkollës, por janë të detyruar të shkojnë në një shkollë në Sauk, pra disa kilometra larg vendbanimit të tyre.
Pse është marrë ky vendim? Vetëm ministria, drejtoria rajonale dhe drejtoria e shkollës e dinë. Një vendim i pakonsultuar, i padiskutuar me prindërit. Ata kanë rezistuar, kanë protestuar ditën e premte dhe unë i inkurajoj të vazhdojnë protestën e tyre, sepse ajo çka drejtoria rajonale ka bërë me këtë vendim të palogjikshëm është në shkelje të legjislacionit në fuqi sepse është i pakonsultuar dhe fëmijët duhet të mësojnë në shkollën më të afërt me vendbanimin e tyre.
Vokshi ka inkurajuar prindërit në mbarë vendin të protestojnë për fëmijët e tyre.
Vokshi: 3 vjet nga tërmeti dhjetëra shkolla nuk i kanë hapur dyert e tyre këtë vit të ri shkollor pavarësisht premtimeve pompoze të Edi Ramës. Iku 2020, 20221, në 2022 për shkak të abuzimit, korrupsionit dhe aferave të kësaj qeverie, shkollat nuk kanë mundur t’i hapin dyert e tyre. Jo vetëm që nuk i kanë hapur ato që janë shembur apo nuk ka përfunduar rikonstruksionin. Por nëse shohim shkollën "Emin Duraku" në qendër të Tiranës, nuk është hapur këtë vit të ri shkollor.
Në të njëjtën linjë deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka dalë në një deklaratë për mediat për të mbështetur peticionin që mijëra studentë i kanë drejtuar qeverisë dhe ndër të tjera mbështetjen me 100 euro çdo muaj.
Xhixho: Arsimi shqiptar eshte ne udhekryqin me te rrezikshem te histories se tij , ndaj te ngrihemi te gjithe ne kembe per ta mbrojtur ate sepse vetem ne kete menyre mund te mbrojme te sotmen dhe te ardhmen jo vetem te mijra e qindra studenteve por dhe ate te zhvillimit te vendit. Cdo dite qe qeveria nuk merr masa eshte nje krim per vendin dhe per aspiratat e zhvillimit te tij.
Xhixho ka ngritur shqetësimin për braktisjen e shumë degëve, ku ajo e fizikës këtë vit ka numëruar numrin më të ulët të regjistrimeve, vetëm 6 studentë.
Ndërkohë studentët kanë paralajmëruar se ti rikthehen protestave duke bojkotuar orët mësimore nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
