Tërmeti, “26 Nëntori” ende e mbyllur, shkolla 9-vjeçare në Tiranë e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019
Një grup prindërish, fëmijët e të cilëve deri para tre vitesh merrnin dije në shkollën "26 Nëntori" në kryeqytet janë ngritur në protestë.
Shkolla u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 që për ironi të fatit kjo godinë mban si emër pikërisht këtë datë.
Edhe pse është shpallur e pabanueshme që prej lëkundjeve tragjike, në të nuk është bërë asnjë ndërhyrje.
"Që nga ajo ditë fëmijët tanë zhvillojnë mësimin në shkolla të ndryshme. Dy vjet i zhvilluan në gjimnazin "Besnik Sykja", ku fëmijët tanë zhvilluan mësim bashkë me gjimnazistët. Në muajin e fundit të shkollë na njoftuan se do ti sjellim te "At Zep Pllumi" se vetë shkolla "Besnik Sykja" ka filluar rikonstruksionin. Jemi mosbesues se ka dy vjet që dëgjojmë, "fillojnë punimet në nëntor, në janar, në mars dhe maj", dhe jemi po këtu."
"Mirë se po torturohen fëmijët por edhe ne."
Prindërit thonë se fëmijët e tyre po ndjekin mësim në kushte jonormale.
"Orari i mësimit tashmë është 13:30-19:00 dhe nuk është normale."
Thonë se kanë kërkuar vazhdimisht transparencë për kohën e fillimit dhe të përfundimit të shkollës.
"I kemi drejtuar bashkisë peticion, na ka ardhur një përgjigje që është lidhur kontrata por nuk shohim fillimin e punimeve".
Sakaq në shkollën e dëmtuar duket se askush nuk po punon. Madje këtë të hënë është vendosur një pjesë e infastrukturës për të treguar se po nisin punimet.
"Pikërisht në këtë moment, meqenëse ne kemi njoftuar bojkotimin e mësimit, aktualisht kanë shkuar tre punonjës, nuk e di të bashkisë apo firmës, që thjesht po bëjnë një rrethim me nje qese jeshile që thonë kanë filluar punimet".
"Unë dua shkollën time se e kam afër shtëpisë."
"Çfarë faji kanë bërë këta fëmijët tanë kaq të vegjël që po dënohen kaq shumë? Pse e bën, për fushatë"? Do shkollë të re për fushatë?"
Të ndodhur në këtë situatë, prindërit kërkojnë që bashkia të shohë rastin me përparësi pasi për ta është e pakuptimtë që tre vite pas tërmetit vdekjeprurës shkolla të jetë në të njëjtën gjendje"
