PD: Paratë për shkollat u vodhën

Në një komunikim për mediat Albana Vokshi, ka akuzuar qeverinë Rama se ka dështuar plotësisht me programin e rindërtimit të shkollave. Nga Ministria e Arsimit, deputetja demokrate tha se për shkak të mësimit me dy turne, prindërit sjellin më pak të ardhura në familje.

Qeveria dështoi me projektin e saj për rindërtimin e të gjitha godinave arsimore që u dëmtuan nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të tre viteve më parë.

Nga dera e Ministrisë së Arsimit, deputetja demokrate Albana Vokshi theksoi se si pasojë në shkollat e vendit vijon mësimi me turne për nxënësit.

Albana Vokshi: Me fondet e rindërtimit po riparohen disa shkolla që janë ndërtuar me fondet e Bankës Botërore më parë apo në qeverinë Berisha. Po kostoja e rindërtimit të tyre, jo kostoja e ndërtimit është 200 për qind më e lartë se ajo e ndërtimit fillestarë të tyre.

As transporti nuk u është siguruar fëmijëve sipas denoncimeve që kanë bërë prindërit. Të dashur prindër, të dashur nxënës, problemi i kësaj qeverie nuk janë vonesat për shkak të një arsye apo të një arsye tjetër. Është korrupsioni, por më së shumti është urrejtja që kjo qeveri ka ndaj edukimit, ka ndaj arsimit, ka ndaj mësimdhënies. Të gjithë e dimë, jemi të ndërgjegjshëm që kjo situatë nuk do të përmirësohet për aq kohë sa në krye të këtij vendi kjo qeveri mendon  se si të zhvasë paratë e arsimit dhe t’i fusë në xhepat e saj.

Një qeveri që vjedh, që nuk investon në rritjen e cilësisë së arsimit të fëmijëve shqiptarë nuk e meriton që të qëndrojë as edhe një ditë në këmbë.

Duke marrë shkas nga situata e rëndë në arsim, Vokshi i bëri apel shqiptarëve që të ngrihen për të larguar sa më parë qeverinë “Rama” e cila sipas saj është armike e dijes.