Sikur? Sikur karta e studentit të mbulonte shpenzimet në ushqime apo menca
Për të folur për paketën sociale të qeverisë Rama ishin të ftuar në emisionin e ditës së sotme të “Ditë e re” në RTV ORA, dy studentë të cilët dhanë këndvështrimin e tyre në lidhje me përjashtimin sipas tyre të studentëve nga kjo paketë.
Ata ofruan gjithashtu dhe një panoramë më aktuale të vështirësive dhe sfidave që një student përballet në Shqipëri. Në lidhje me përfitimet e kartës së studentit si një kartë favorizuese në përditshmërinë e një studenti, Megi Stambollxhiu u shpreh se: “Uljet e domosdoshme që përfiton me kartën e studentit janë zero, ofron ulje për dyqanet në ‘Bllok’ që kanë çmime të larta, apo ulje gjithashtu në dyqanet e grave shtatzëna, që nuk i shfrytëzon dot një student.”
Gjithashtu në lidhje me problematikat jetës së një studenti u përmend dhe fakti se ushqyerja është një nga çështjet që një student e rëndon financiarisht dhe që fare mirë mund të lehtësohej me përdorimin e kartës së studentit. Në vijim të kësaj qasjeje studenti Gevio Tabak u shpreh se në markete karta ofron ulje vetëm 1% ulje, pra ulje fatkeqësisht e papërfillshme.

