Vrasja në Shkodër/ Erjon Xhenja u vra nga 5 plumba, sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë
Pesë plumba kanë prekur në pjesë të ndryshme të trupit Erjon Xhenja duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme bëjnë të ditur burime nga grupi hetimor.
Shkodra u trondit mbrëmjen e 18 shtatorit 2022 nga plumbat që i morën jetën 19 vjeçarit në një lokal pranë kryqëzimit të Kirasit.
Ndaj tij u qëllua 7 herë, ku 5 plumba e preken në pjesë të ndryshme të trupit duke e lënë të vdekur në vend.
Ai ka qënë në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” pranë lagjes Kiras kur autori është afruar me një motorçikletë dhe ka shtënë drejt tij, e më pas është larguar në drejtim të paditur përmes rrugëve dytësore. Pak pas ngjarjes në lagjen “Guerrile” u gjet një motorçikletë e djegur dhe një pistoletë që policia dyshon të jetë përdorur në ngjarje.
Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë ka nisur hetimet për ngjarjen, ku përveç marrjes në pyetje të dëshmitarëve, ka sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonë. Ato pritet të jenë pika e fortë e identifikimit të autorit të kësaj ngjarje thonë burime policore, edhe pse do të jetë e veshtirë pasi ai rezulton të ketë qënë i maskuar.
Ka qënë vetë babai që identifikoi viktimën, ndersa ka rrëfyer se përpara se të ndodhte ngjarja e kishte telefonuar djalin Erjonin të vinte në shtëpi se po erresohej.
Ai ka shpërthyer në lot ndërsa pa djalin e pa jetë, duke i treguar policisë se ai kishte dashur ta merrte me vete në Mal të Zi për të furnizuar mjetin me karburant, por i biri i kishte thënë se po pinte kafe. Policia e Shkodrës ende se ka një pistë zyrtare hetimi për vrasjen.
