Matthaus: Nuk do ta shisja kurrë fanellën e Maradonës
Lothar Matthaus ia dhuroi fanellën e Maradonës, Argjentinës si një gjest fisnik duke vendosur që populli që e deshi aq shumë numrin 10, te ketë një trashëgimi të paçmueshme.
Ndryshe nga Steve Hodge që e shiti fanellën e Maradonës së çerekfinales Angli-Argjentinë për 7.1 milionë pound, gjermani thekson se nuk do të mundej ta bënte kurrë një gjë të tillë me fanellën e finales së vitit 1986 që e mori dhuratë nga Maradona.

“Në 36 vjet nuk kam menduar për asnjë moment se mund ta shisja fanellën. Është një kënaqësi e madhe për mua që ua dhuroj argjentinasve. Diego ishte më i madhi i kohës time.

Asnjë njeri në tokë nuk ka bërë atë që Diego ka bërë me futbollin. Kemi luajtur shumë ndeshje si kundërshtarë dhe vetëm një herë në të njëjtën skuadër, atë të skuadrës së Michel Platini në vitin 1998 ku më dha topin e golit dhe më pas kaluam një natë të paharrueshme në shoqërinë e birrave.

Diego është një zot në Argjentinë, prandaj është gjesti i duhur që bëra për ta kthyer fanellën në vendin e tij”, thekson legjenda gjermane.
