Debati për "Territorialen", ambasadorja suedeze nga Shkodra: Sa më shumë gjithëpërfshirje në reforma
Në një kohë kur klasa politike është përfshirë sërish në debatin e reformave dhe ndasitë janë të mëdha, veçanërisht për reformën territoriale, nga Shkodra ambasadorja e Suedisë thotë se nevojitet dialog dhe gjithëpërfshirje kur bëhet fjalë për nisma të tilla.
"Në të gjitha reformat që do të bëni në vend nevojitet të përfshini sa më shumë aktorë që të jetë e mundur, të nivelit të parë, të mesëm dhe të lartë, shoqërinë civile etj. Kjo bën sens kur merren vendime të rëndësishme."
E pranishme në një aktivitet në Shkodër që vjen në kuadër të javës së kulturës suedeze, ajo sëbashku me drejtuesit vendorë vizitoi stendat që prezantojnë lidhjet mes dy popujve, traditat dhe kulturat, por edhe risitë teknologjike.
Gjatë ditës në pedonalen e Shkodrës janë mbajtur një seri aktivitetesh ndërsa mes përfaqësuesve të Ambasadës dhe bashkisë Shkodër është programuar dhe një ndeshje futbolli në stadiumin "Loro Boriçi".

