Shkodër, po gjuanin pa leje shpendë, gjobiten dhe procedohen penalisht 3 persona
Procedohen penalisht dhe administrativisht 3 shtetas që gjuanin shpendë, në mënyrë të paligjshme në qarkun e Shkodrës.
Personat e lartpërmendur, janë konstatuar nga policia duke gjuajtur shpendë, jashtë periudhës së përcaktuar me ligj.
Po ashtu, këta 3 shtetas janë ndëshkuar me masë administrative 50.000 të rinj secili, për shkelje të ligjit "Për gjuetinë".
“Në kuadër të kontrolleve në territor, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë evidentuar raste të gjuetisë së paligjshme, në fshatin Pentar, Shkodër. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: R. M., 29 vjeç, banues në fshatin Dajç, E. M., 37 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Sipërme dhe S. M., 30 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër.
Gjithashtu, këta 3 shtetas janë ndëshkuar me masë administrative 50.000 të rinj secili, për shkelje të ligjit nr.61/2016 “Për shpalljen e Moratoriumit të Gjuetisë në RSH", ligjit nr. 74/2014 "Për Armët" dhe ligjit nr. 10253 date 11.03.2010 "Për gjuetinë". Në vijim të veprimeve u bë bllokimi i 2 armëve të gjahut që përdornin këta shtetas, për gjueti.” – njofton policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
