Kurti me urgjencë te Rama, takimi kokë më kokë në vilën qeveritare
Albin Kurti mbërriti me urgjencë në Tiranë pasditen e të martës, 13 shtator, për një takim me kryeministrin Edi Rama.
Ky i fundit e priti kryeministin e Kosovës në vilën qeveritare 30 në një takim kokë më kokë dhe të paparalajmëruar për mediat nga stafet përkatëse të shefave të dy qeverive.
Ndërsa ishte në një konferencë shtypi në Prishtinë me ministrat Murati dhe Nagavci, Kurti ju përgjigj gazetarëve dhe në fund u tha:
"Faleminderit, mua më duhet të shkoj në një takim urgjent por do të jem para jush edhe nesër, edhe pasnesër dhe tani fillon dhe Kuvendi i Republikës."
Pa dhënë detajet për mediat, ai ka "fluturuar" drejt Tiranës për takimin kokë më kokë me Ramën që ka zgjatur përreth dy orë pa praninë e mediave të cilët kanë arritur të marrin plane vetëm të hyrjes së makinave qeveritare në vilën 30 dhe përshëndetjet Rama-Kurti në vilën 30.
Ndërsa në vilën 30 zhvillohej biseda, qeveria e Kosovës postoi në profilin e saj në facebook lajmin për sulmin kibernetik.
"Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.
Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës".
Në pamundësi të marrjes së informacioneve zyrtare, në media është spekuluar se në takimin Rama-Kurti është biseduar për sulmet kibernetike por edhe për rezolutën mbi raportin e Dick Marty që kryeministri Rama do të paraqesë në Këshillin e Europës.
Çfarë dimë për rezolutën?
Më 12 gusht 2022 Shqipëria dorëzoi në Strasburg rezoluten e parlamentit të vendit tonë të miratuar me 21 korrik 2022 e cila synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore nga drejtuesit e UKÇ gjatë luftës në Kosovë, pretendime të cilat u ngriten në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty në 2010.
Me 12 tetor kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Këshilli të Europës me kërkesën që të rishikojë raportin e 2011 për Kosovën, me qëllim rrëzimin e pretendimeve të Dick Marty sipas të cilit drejtuesit e UÇK kanë kryer trafikimi të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë.
Në rezolutën e Parlamentit shqiptar miratuar me 125 vota thuhet se pretendimet e Dick Marty janë të ngritur pa fakte dhe të gjitha hetimet e kryera nuk rezulton asnjë provë që fakton akuzat e tij mbi ish dretjuesit e shtetit të Kosovës.


