Kuvendi miraton me 125 vota rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, ja deputetët që nuk morën pjesë në votim
Pas debateve të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në seancën maratonë të së enjtes (21 korrik), Kuvendi miratoi në orët e vona të mbrëmjes Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Rezoluta u miratua me 125 vota të deputetëve, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Nuk kanë votuar deputetët
-Sali Berisha
-Helidon Bushati
-Agron Çela
-Gledis Çeliku
-Agron Duka
-Belind Këlliçi
-Meri Makiçi
-Flamur Noka
-Edi Paloka
-Orjola Pampuri
-Niko Peleshi
-Kastriot Piroli
-Alfred Rushaj
-Agron Shehaj
-Fation Veizaj
Rezoluta e sponsorizuar nga Partia Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, e cila kundërshton një raport të Këshillit të Evropës me pretendime për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, komentohet si nismë e mirë dhe si aktivizim i politikës së jashtme të shtetit shqiptar.
Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.
Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Ëilliamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.
Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.
Në aktakuzën kundër tyre përmenden krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, por nuk figuron “trafikimi i organeve njerëzore”.
Në tekstin e rezolutës së sponsorizuar nga Partia Socialiste, po ashtu, i bëhet thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të rishikojë Rezolutën 1782, me të cilën ka miratuar raportin e Martyt, si dhe “të rivlerësojë pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur” gjatë dekadës së fundit.
Nga Këshilli i Evropës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse rishikimi i një rezolute të mëhershme është praktikë e këtij institucioni.
Rama, gjatë një konference për media në Bruksel më 19 korrik, ka paralajmëruar se në shtator do t’i drejtohet personalisht Këshillit të Evropës për raportin e Dick Martyt.
Rreth dy vjet pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, ende nuk dihet data e fillimit të gjykimit të tyre.
