Vuçiç: Serbia s'do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi Kosovën
Presidenti i Serbisë nuk ka zhgënjyer as në parlament të tregojë qasjen e tij destruktive në dialogun e udhëhequr nga Brukseli. Megjithatë deklaratat e Vuçiç duken tepër të moderuara në krahasim me retorikën ultranacionaliste të opozitës.
Në mënyrë të ngjashme me ditën kur u betua si president, kreu i shtetit Aleksandër Vuçiç ripohoi në parlament se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën në asnjë rast.
Në fjalën e tij në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit, presidenti serb mbajti qëndrimin e njohur nga të gjithë për çështjen e Kosovës, të cilën e quajti një pikë të fortë të mbrojtjes së interesit të Serbisë.
Vuçiç: Derisa unë të jem në pushtet, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt as në mënyrë të tërthortë pavarësinë e Kosovës. Unë nuk do të heq dorë nga lufta ime legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Në rendin e ditës në seancën e së martës ishte procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Seancën për Kosovën e kërkuan grupet opozitare në Kuvendin serb Dveri, Partia Popullore, koalicioni Shpresa.
Sipas sugjerimit të këtyre forcave politike, Serbia nuk duhet ta njohë kurrë Kosovën shtet, e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.
Parakushti për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën, sipas tyre është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, megjithëse Gjykata Kushtetuese në Prishtinë i ka quajtur parimet e asociacionit si antikushtetuese.
Opozita shkon edhe më tej sa i kërkon qeverisë serbe që të marrë në konsideratë edhe anulimin e marrëveshjeve të arritura me palën kosovare, si dhe të anulojë dialogun, i cili ka nisur që prej vitit 2011 dhe ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
