Abidal rrëfen tmerrin e sëmundjes së rëndë dhe kërkesën që i bëri Lionel Messi
Në vitin 2011, Eric Abidal iu nënshtrua transplantit të mëlçisë për shkak të një tumori që mund t’i kishte marrë jetën. Ishte koha kur mbrojtësi francez luante në radhët e Barcelonës, një nga skuadrat më të mira të historisë së futbollit dhe ai kujton se si i përjetoi ato momente që e ndanin atë mes jetës e vdekjes, ndërsa në fushë stërvitej pak kohë më parë me disa nga yjet më të mëdhenj.
“Isha si një kufomë që ecte. Një ditë regjistrova një video dhe e nisa në grup përpara një ndeshjeje të rëndësishme duke u thënë shokëve që të mos bëheshin merak për mua sepse ishte njëlloj sikur ndodhesha aty bashkë me ta. E dini si m’u përgjigj Messi? Më tha të mos dërgoja më video të tilla sepse do të kishin efekt të kundërt edhe pse unë mendoja se mund t’i karikoja.
Më shikonin si një kufomë dhe kjo i trishtonte shumë. Kur Henry më vizitoi në New York ku po kurohesha, e pashë në fund të korridorit dhe nisa të qaja si një fëmijë. Nuk doja të më shikonte në atë gjendje. Kisha një dhimbje shumë të madhe sikur një thikë më ishte futur në trup dhe më shkonte më thellë dalëngadalë”.
Një kalvar i gjatë ai i Eric Abidal që nisi në marsin e vitit 2011 dhe dy muaj më pas u rikthye në fushë ku fitoi Champions League dhe Puyol i dhuroi shiritin e kapitenit për ta ngritur në qiell atë kupë. Në vitin 2012 iu desh ndërhyrja për transplantin e pjesshëm të mëlçisë me rrezikun se karriera e tij mund të mbyllej në atë moment por pas operacionit Eric u rikthye në fushë duke luftuar dhe fituar.
