Tuchel është i tronditur nga largimi. Trajneri reagon për herë të parë pas shkarkimit

Thomas Tuchel është i tronditur për shkarkimin e papritur nga detyra pas humbjes së skuadrës në Zagreb kundër Dinamos. Ky është thelbi i deklaratës zyrtare të trajnerit gjerman që prononcohet për herë të parë gjatë ditëve të fundit ku karriera e tij mori një drejtim të papritur pasi u zëvendësua në stolin e bluve nga Graham Potter.
“Kjo është deklarata më e vështirë që më është dashur të bëj në karrierën time dhe shpresoja që të mos ndodhte një gjë e tillë. Jam i tronditur që punës time te Chelsea i erdhi fundi. Jam ndier si në shtëpinë time, profesionalisht dhe personalisht.

I falënderoj të gjithë, stafin, lojtarët dhe tifozët që më kanë bërë të ndihem si në shtëpinë time që në ditën e parë kur mbërrita këtu. Krenaria dhe gëzimi që ndjeva kur ekipi fitoi Champions League dhe Botërorin e Klubeve do të mbeten përjetë. Jam i nderuar që kam qenë pjesë e këtij klubi dhe këto 19 muaj do të mbeten gjatë në zemrën time”.
Epoka “Tuchel” nën presidencën amerikane zgjati vetëm 100 ditë edhe pse trajneri gjerman ishte një nga njerëzit më të dashur prej tifozerisë dhe lojtarëve në “Stamford Bridge”.
