Minuta e heshtjes/ Në Liverpool i tremben “turpit”, tifozët mund të vërshëllejnë mbretëreshën
Kur Mbretëresha e Anglisë ndërroi jetë, klubi i Liverpool hezitoi fillimisht për të dalë me një deklaratë ngushëlluese dhe një gjë të tillë e bëri pak kohë më vonë rreth orës 20:00. Mbështetësit e klubit të kuq njihen për mungesën e simpatisë që kanë ndaj kurorës dhe në këtë rast nënkampionët e Anglisë u treguan të kujdesshëm për të mos ngjallur zemërimin e tyre.

Klubi i qëndroi strikt protokollit duke folur menjëherë pasi një gjë të tillë e bëri ekzekutivi. Gjithsesi, në “Anfield Road” sot ashtu si në të gjitha ndeshjet e Champions League do të mbahet një minutë heshtje dhe ky pritet të jetë një nga momentet më delikate.
Të gjithë janë kuriozë se si do të sillen mbështetësit e kuq përpara ndeshjes me Ajax, pasi në të shkuarën e afërt gjatë dy finaleve të kupave sezonin e kaluar, ata e kanë vërshëllyer himnin. Sipas tifozëve, shteti nuk ka bërë mjaftueshëm për të zbardhur tragjedinë e Hillsborough, ku në fund të viteve 80 humbën jetën dhjetra tifozë të kuq në stadiumin famëkeq të Nottingham Forest.
