Fillimi i vitit të ri shkollor, Muhamet Rrumbullaku jep porositë e radhës për policinë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,Muhamet Rrumbullaku mesditën e sotme, ka zhvilluar takim me strukturat e Departamentit për Sigurinë Publike dhe ato të DVP Tiranë, me qëllim dhënien e porosive në fillim të vitit të ri shkollor 2022-2023.
Gjatë takimit ka kërkuar angazhim, profesionalizëm, etikë dhe kulturë nga punonjësit e Policisë që do të jenë të planëzuar me shërbim, pranë shkollave, në të gjithë vendin dhe kërkoi gjithashtu, kontroll nga eprorët e tyre për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave.
Gjithashtu ka kërkuar që ndryshe nga çdo vit tjetër, pranë shkollave, të jenë të planëzuar patrulla të përgjithshme, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ndihmës/specialistë të Policimit në Komunitet, të cilët do të monitorojnë qarkullimin e automjeteve në afërsi të shkollave dhe do të ndihmojnë nxënësit dhe prindërit, me qëllim vijimin e trafikut normal dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore.
Shefat e komisariateve të Policisë që kanë nën juridiksion, shkollat me numrin më të lartë në nxënësve në shkallë vendi, të takohen me drejtuesit e shkollave, për të hartuar plane pune të përbashkëta, me qëllim koordinimin e veprimeve me drejtuesit e shkollave dhe me bordet e prindërve, për ndërhyrjen në kohë, për të eleminuar dhe për të parandaluar depërtimin e fenomeneve negative apo përshkallëzimin e konflikteve të mundshme në shkolla.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullës së Përgjithshme të mos ndalojnë dhe të mos ndëshkojnë me masa administrative prindërit që do të çojnë nxënësit në shkolla, por të ndërhyjnë për të ndihmuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe lëvizjen e sigurtë të nxënësve, nga njëri kah i rrugës në tjetrin.

