U godit sistemi TIMS, radhë të gjata në doganën e Bllatës në Dibër

Sulmi kibernetik nga Irani mbi sistemin e regjistrimit të hyrje daljeve në vendin tonë, TIMS, ka sjellë radhë të gjata në të gjitha pikat doganore dalëse.

Qindra qytetar që duan të kalojnë në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet doganës së Bllatës në Dibër po qëndrojnë në radhë pasi sistemi nuk funksionin si pasojë e sulmit nga hackerat e Iranit.

Ashtu si në të gjitha pikat e tjera doganore edhe në Bllatë hyrje-daljet nga kjo pikë doganore po mbahen me regjistër, ç'ka bën që koha e procedurës të jetë e gjatë.

“Më duhet të pres një orë këtu, një orë në Dibër të Madhe ndërkohë që unë jam për rrugë të gjatë” thotë një qytetar.

Emigrantët që kanë zgjedhur këtë doganë për të kaluar në Greqi, thonë se po qëndrojnë në radhë me orë, si asnjëherë më parë.

Burime nga dogana e Bllatës thanë se janë fikur të gjithë kompjuterat, duke ju shkëputur lidhjen e internetit, për arsye sigurie. Ndërkohë, bllokimi i sistemit doganor ka vështirësuar punën e policisë në identifikimin e personave që kanë probleme me ligjin.