Trau që kushtoi sa qimet e kokës. KLSH: Firma merr dyfishin e parave për punë të pakryer

Miliona lekë janë përfituar nga një operator i vetëm ekonomik, i cili ka marrë tendera nga Ministria e Kulturës dhe nuk ka kryer punimet. Shkelja e parë është evidentuar në restaurim çatie, ku firma sipas KLSH ka lënë përgjysmë punimet pasi zëvendësoi vetëm një tra të thyer dhe mori dyshifin e vlerës reale të projektit. Shkelja tjetër është zbuluar në magazinat e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Restaurimi i një trau çatie, i kushton 95 mijë lekë Ministrisë së Kulturës.  Bëhet fjalë për projektin e ndërhyrjes ne nje shtepie ne Tiranë me volum 30 m 3.

Kontrata eshte lidhur mes Ministrisë së Kulturës dhe BOE “6D-P”shpk & “BM-K” shpk, me vlerë 1 milione 067 mije e 676 lekë.

Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se projekti me vlerën totale 189,690 lekë pa TVSH nuk është kryer nga kompania që ka marrë përsipër punimet.

Ajo ka realizuar vetëm zëvendësimin e traut të thyer të çatisë. Analiza e çmimit për heqjen dhe vendosjen e traut e llogaritur nga ana e audituesve të KLSH-së,  është 94,479 lekë.

Sipas këtij institucioni firma ka përfituar padrejtësisht 95 mije e 211 lekë. 

Trau i zëvëndësuar dhe lënia pa përfunduar e projektit nuk është e vetmja shkelje e kësaj komopanie në tenderat e marrë nga Ministria e Kulturës.

BOE “6D-P”shpk & “BM-K” shpk, mori përsipër edhe një projekt tjetër këtë herë me vlerë 15,828,383 lekë. Bëhet fjalë për “Rikonstruksion/Rivitalizim të Magazinave të Teatrit Kombëtar të Operas, objekte të cilat ndodhen në Brar.

Projekt   parashikohej për tu kryer në 2 faza bazuar në kontraten midis Ministrisë së Kulturës dhe OE “6D-P”. Auditi ka zbuluar se gjatë zbatimit ka diferenca në volume për punimet, të deklaruara të kryera, me vlerë totale 852,265 lekë pa tvsh.

Vlera e financuar nga Ministria e Kulturës prej 6 mln 833 mijë lekë nuk është përdorur me efektivitet dhe efiçencë, pasi kjo procedurë nuk është zhvilluar më tej me zbatimin e këtij projekti deri në përfundim.

Gjithashtu këto procedura nuk janë planifikuar për tu kryer as në vitin 2022 sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ky institucion i ka kërkuar nga Ministria e Kulturës të marrë masa për arkëtimin e vlerës prej 852mije e 265 lekëve nga OE “6D-P” sh.p.k., në cilësinë e sipërmarrësit të punimeve,vlerë kjo që përfaqëson një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit