Sulmi në sistemin TIMS, TIA: Operimet vijojnë normalisht, paraqituni në aeroport 2 orë e gjysmë para fluturimit

Aeroporti Ndërkombetar i Tiranës njofton të gjithë pasagjerët se pavarësisht problemeve momentale me sistemin TIMS, operimet vazhdojne pa vonesa në aeroport.

Fluturimet vazhdojnë sipas planit, megjithatë, TIA apelon pasagjerët që të jenë të pranishëm në aeroportin "Nënë Tereza" 2 orë e gjysmë përpara fluturimit për të shmangur çdo shqetësim.

Autoritetet njoftuan sot se Irani ka goditur sërish një prej sisteme të rëndësishme informatike, atë të rregjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS”, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter.

Burime zyrtare nga policia shqiptare i thanë Zërit të Amerikës se “bëhet fjalë për një sulm masiv, i ngjashëm me atë të 15 korrikut”, që goditi të gjithë strukturën e sistemeve qeveritare të informacionit.

Të njejtat burime shpjeguan se sulmi është vënë re shpejt, dhe se autoritetet menjëherë kanë fikur sistemin për të shmangur dëmet e mundshme.

“Ndërkohë, vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t'i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkruajti kryeministri Rama.