"Shqipëria po paguan ..." Mesazhi që hakerat lanë në sistemin TIMS

Ora News siguron videon e momentit kur duket se ka nisur sulmi nga grupi Home Land Justice.

Në video shënohet ora 20:00 e 9 shtatorit 2022. Jemi në terminalin e Rinasit dhe duke që sistemi ka nisur ngecjen pasi polici i bën refresh dhe e mbyll dhe e rihap sistemin.

Gjithashtu nëpër kompjuteraka dalë mesazhi si : "Përse duhet të shpenzohen taksat tona për terroristët e Durrësit"

Apo  “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës. Dhe kjo lojë do të vazhdojë”.

Ministria e Brendshme deklaroi sot se sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.

"Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë"

Çfare ndodhi?      

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë përkeqësuar ndjeshëm pasi autoritetet shqiptare u pajtuan – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) më 2013.

Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Pas sulmit kibernetik të muajit korrik, Ambasada amerikane në Shqipëri pati ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm, që është thënë se ka pasur cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim.

Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.

Më 7 shtator 2022 Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pasi u konfirmua se sulmi kibernetik në sistemin dixhital të Shqipërisë ishte organizuar dhe sponsorizuar nga Irani.