VËZHGIMI I ORA NEWS/ Bie propaganda e Veliajt, fëmijët romë në pamundësi dalin rrugëve të Tiranës për të lypur

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është shprehur se institucioni që drejton është kujdesur për fëmijët e rrugës duke u siguruar edukim e strehim. Por ndryshe nga deklaratat e tij, gjatë vëzhgimi në terren fëmijët e komunitetit rom thanë se askush nuk u ka ofruar atyre shkollim edhe pse ëndrrat i kanë të mëdha. Sipas tyre, pengesat pëër të ndjekur shkollën vazhdojnë si më parë.

"Fëmijët që lypin në rrugë që mos të të prishin ty terezinë kur je në semafor, ne i marrim, ta gjejmë ku e ke familjen, të mësojmë shkrim e këndim. Ky është një qytet realisht me fytyrë njerëzore."

Kjo është deklarata e kryebashkiakut Veliaj. Ora News është në terren për të parë situatën.

Ndryshe nga ajo çfarë pretendon Veliaj, fëmijët, sidomos të komunitetit rom, vijojnë të kërkojnë lëmoshë në rrugët e kryeqytetit.

Thonë se nga Bashkia askush nuk i ka marrë tu sigurojë shkollimin edhe pse këta fëmijë kanë ëndrra si të gjithë të tjerët.

"Goca është 9 vjeçe nuk e kam në shkollë. Të na ndihmojë shteti dhe ne nuk kemi pse të dalim."

Kjo zonjë tregon se vajza e saj 9 vjeçe del çdo ditë në rrugë për të lypur si e vetmja mundësi për të siguruar ushqimin.

"Nuk e kam mundësinë ti çoj në shkollë, dalim dhe lypim që të hamë."

Thotë se e ka dëgjuar deklaratën e Veliajt por kërkon prej tij që ato që thotë ti vërë në zbatim.

"Të na ndihmojë Erion Veliaj, mos të na lërë të lypim mes katër rrugëve këtu. Për një copë bukë po dalim."

Shumë fëmijë në pamundësi ekonomike, kryesisht të komunitetit rom apo egjyptian, janë të privuar për tu shkolluar për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.