Dekonspirimi në polici, Rama pa përgjegjësi për inkriminimin: Fajin e ka Nano!

Deklaratave të ish-drejtorit të policisë së shtetit, Gledis Nano, se 14 të shumëkërkuar i shpëtuan operacioneve policore pasi kishin bashkëpunëtorë brenda radhëve të policisë u është përgjigjur kryeministri Edi Rama.

Madje kundër këtyre pretendimeve ai ka theksuar se të paudhët janë shtuar në radhët e uniformave blu gjatë muajve të fundit.

"Ata janë thjesht jashtëmbetje të një organizmi që është në transformim ku paudhësitë dhe të paudhët brenda llojit nuk mungojnë por padiskutim luftohen dhe luftohen më shumë se asnjëherë dhe pse le ta themi se në muajt e fundit kanë marrë një lloj hovi të paudhët dhe paudhësitë brenda llojit".

Edhe pse Nano qëndroi në detyrë në më pak se një vit, në prezantimin e Muhamet Rrumbullakut si kryepolic Rama renditi edhe rastet e ndëshkimeve të bluve.

"Prerja e drurëve të shtrembër në rreshtat e gjatë dhe të drejtë të policisë së shtetit është pjesë e pandashme e rritjes dhe fuqizimit të saj."

Jashtë vëmendjes, në sallën e mbushur me drejtuesit më të lartë të rendit, Rama nuk la as çështjen e Ervis Martinajt, për të cilin la një detyrë të qartë.

"Është e papranueshme që me javë të tëra mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve ekran më ekran dhe faqe më faqe janë bërë Big Brother i kronikës së zezë: Jo u vra, jo su vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit lloj-lloj legjendash me luanë, me bamirësa, me oligarkë, shto ujë dhe shto miell si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar dhe policia e shtetit sot nuk do ta thotë akoma: Ore u vra apo nuk u vra? Kush e ka penguar ta thotë? Drejtori i policisë së shtetit që merr sot detyrën si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore duhet të sigurohet dhe të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë ti thuhet publikut që është vrarë, nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe ti jepet drejtësisë".

Kanabisi do të jetë në vëmendje të policisë, por një pikë të rëndësishme kryeministri cilësoi konfiskimin e kateve shtesë të bëra pa leje. Kreu i qeverisë tha se ndërtuesit shkeljet do ti paguajnë me vlerë tregu.

"Të gjitha katet apo metrat katrorë që do të konfiskohen do të shkojnë për strehim social apo mjedise pune për institucione që akoma rrinë me qira, nga paratë e taksapaguesve, se nja 4-5 mijë metra katrorë janë këtu ngjitur në sheshin “Skënderbej”. Do t’i marrim ose do të na i japin. Këta janë ata që ndajnë katet me mua, se e kam dhe personale këtë betejë".

Për Rrumbullakun Rama kishte edhe një porosi.

"Telefonatave ju keni për detyrë tu përgjigjeni por kërkesave nëpër telefona ju nuk keni detyrë ti përgjigjeni nga kushdoqoftë që të vijnë. Vetëm ditën kur unë do t'ju marr në telefon për t'ju ndërhyrë ju keni të drejtë të filloni të bëni shërbime të kësaj natyre, por kjo nuk ka për të ndodhur".