Pa bonus qiraje me shtëpi të shkatërruar, i moshuari: Tre vite në dyert e Bashkisë Kurbin për zgjidhje
Një banor i Laçit denoncon se është përjashtuar nga program i rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke mos i dhënë bonusin e qirasë, ashtu si banorëve të tjerë të pallatit të dëmtuar ku jeton. Pashk Pepa, thotë se prej tre vitesh endet në dyert e Bashkisë Kurbin, por nuk po gjen zgjidhje.
Apartamenti ku jeton u bë i pabanueshëm nga Tërmeti i 26 nëntorit 2019, por Pashk Pepa nga Laçi denoncon nuk ka përfituar nga program i rindërtimit.
Nga pamundësia për të paguar qiranë, është detyruar të rikthehet në banesën e dëmtuar.
"Banesa ku jetoj sotështë e pabanueshme. Jam njeriu më i diskriminuar dhe diskredituar në Kurbin dhe Shqipëri," tha ai.
Thotë se prej 3 vitesh tashme endet dyerve të institucioneve në Kurbin, por nuk ka arritur të gjejë zgjidhje, pasi nuk i njohin dokumentacionin që zotëron.
"Kam shkuar dhe nuk njohin asnjë lloj dokumenti," tha ai.
Pallati prej disa muajsh është në proces rikonstruksioni, por Pashk Pepa thotë se atë e kanë përjashtuar.
"Përgjigja thotë se nuk do të riparohet se prekemi," tha ai.
Thotë se diskriminimi dhe sjellja e zyrtarëve të Bashkisë Kurbin po e çon drejt akteve ekstreme.
"Fundi që s'do kem çfarë të bëj më, veç kur ta zgjidhe kallashnikovi," tha ai.
Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe sot tre vite më pas shumë familje vijojnë të jenë të pastreha.