Mijëra nxënës mësim deri në darkë, në Durrës ende nuk ka përfunduar procesi i rindërtimit
Pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor 2022-2023. Por, në Durrës edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 vite, shkollat ende nuk janë rindërtuar dhe mijëra nënës pritet që të zhvillojnë mësimin me dy turne.
Dy vite e gjysmë pas tërmetit shkatërrues në vendin tonë, dhjetëra shkolla ende nuk kanë mbaruar së ndërtuarit e të tjera janë në process rikontruktimi.
Kur na ndajnë pak ditë para vitit të ri shkollor 2022-2023, mijëra nxënës do të vijojnë të bëjnë mësim me dy turne.
"Sigurisht që mësimi me dy turne na ka krijuar vështirësi sepse dy gjimnazet më të mëdhaja të Durrësit i kemi në proces rindërtimi dhe nuk janë në ambjentet e tyre," deklaroi Amarilda Thërrmija, Drejtore ZVA Durrës
Që nga fillimi i procesit të rindërtimit, në bashkinë e Durrësit janë ndërtuar 12 godina të reja arsimore, ndërsa 12 të tjera janë në proces.
Drejtoresha e ZVA-së shprehet se pritet që ndërtimi i 12 godinave të reja të përfundojë shpejt, por në një pjesë të tyre ende procesi është në fazën e projektimit.
"Aktualisht janë 12 institucione arsimore, godinat e të cilëve kanë mbaruar dhe nxënësit mund të vazhdojnë mësimin normalisht dhe janë 12 shkolla në proces rindërtimi," tha ajo.
Aktualisht shkollat e mesme Naim Frashëri, Gjergj Kastrioti, Bernardina Qeraxhia dhe Olsi Lasko janë shembur dhe vetëm në këtë të fundit kanë nisur punimet për rindërtimin e godinës.
Edhe në shkollën Eftali Koçi, e shembur para një viti, punimet nuk kanë nisur akoma, për shkak të zbulimit të rrënojave arkeologjike në themelet e saj.
Janë plot 4704 nxënës që detyrohen ta zhvillojnë mësimion në shkolla pritëse, pasi godinat ku ata zhvillonin mësimin prej vitesh, u shembën.
Nga ana tjetër, këtë vit pritet që ta nisin mësimin në klasën e parë të arsimit fillor 1515 nxënës, ndërsa në total shkollat e bashksië Durrës numërojnë 28 931 nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën.