Meta njofton protestën e parë: Më 13 shtator ora 18:00 tek incineratori i Tiranës

"Një nga protestat e para do të njoftohet në këto 24 orë".

Ashtu siç paralajmëroi 24 orë më parë, Ilir Meta deklaroi nisjen e protestës së parë.

Por tubimi nuk do të jetë as në qendër të Tiranës dhe as në rrethe, por do të vendoset pranë landfillit të Tiranës, aferë që vijon të denoncohet prej 3 vitesh.

Meta: Si Parti e Lirisë kemi vendosur që protestën e parë në vendin e krimit ta bëjmë pas një jave, të martën që vjen në orën 18:00 te incineratori i Tiranës.

Duke deklaruar se do të mbështesë çdo protestë të iniciuar nga parti politike apo prej shoqërisë civile, ai ftoi që te incineratori të marrin pjesë si qytetarë.

A i ke bërë ftesë Berishës?

Meta: Kjo është protesta e qytetarëve dhe të gjithë janë të mirëpritur por në radhë të parë janë të mirëpritur si qytetarë sepse është një çështje e qytetarëve, janë taksat e tyre që merren, janë taksat e tyre që vidhen, janë lekët e tyre që shkojnë te kompania mëmë atje. Do të mbështesim çdo protestë që bëjnë të gjithë forcat politike, grupet e interesit kundër korrupsionit, kapjes së shtetit, në mënyrën më të padiskutueshme.

Pse tek incineratori i Tiranës?

Meta: Pse aferën e incineratorit të Tiranës kush e ka bërë? Aferën e incineratorit të Tiranës e ka bërë Edi Rama. Të gjithë aferat ai i ka bërë.  Edhe malin e plehrave në Shijak ia kanë çuar qytetarët dhe atij dhe duhej të kishte paditur sot kryelindasin. Në çdo aferë është Edi Rama pasi garanton pandëshkueshmërinë për të gjithë rilindasit më të vegjël si puna e tij që i trajton si matrioshka.Të gjithë gënjeshtarë, mashtrues, falsifikatorë, kudo është ai. E ka dorën e gjatë shumë.

Partia e Lirisë ka akuzuar më herët se me landfillin e Tiranës janë grabitur 430 milion euro.

Madje denoncimet janë bërë dhe për tjetërsimin e pronës që dikur ka qenë publike.