Plazhi i Vjetër në Vlorë i papastruar, pushuesit: Kemi frikë nga infeksionet

Ky sezon veror filloi dhe po shkon drejt fundit me të njëjtat problematika për Plazhin e Vjetër në Vlorë. Edhe për këtë vit, plazhi që frekuentohet kryesisht nga familjarët  mbetet më i lënë pas dore përsa i përket menaxhimit nga pushteti lokal. Qytetarët shprehet të shqetësuar për situatën e ndotjes dhe infeksioneve atje.

Goma makinash e mbeturina të tjera mund të gjenden lehtësisht në breg të detit në Plazhin e Vjetër në Vlorë.

Edhe pse një ndër zonat më të preferuara për familjarët, atje sezoni nisi e përfundoi pa vënë askush dorë në të.

Pushuesit që kryesisht janë vendas, shprehen të zhgënjyer me situatën e ndotjes në bregdet.

“Sa vemi në shtëpi menjëherë dueht të lahemi se rreziku është gjithmonë.”

“Duhen bërë investime, kam shpresë së do ët përmirësohet.”

Gishtin e përgjegjësisë e drejtojnë nga Bashkia.

“Nuk ka vënë dorë bashkia të pastrojë, çfarë mbledhim ne dhe i hedhim. Për kanalet e ujërave të zeza që derdhen në det dikush e ka fajin. Ditën e parë u mbusha me puçrra.”

Frika më e madhe e tyre janë infeksionet që mund të lindin nga papastërtitë.

“Si këtë vit nuk më ka parë syri. Nuk ka vënë dorë bashkia. Unë kam 4 nipër e mbes dhe nuk dëshiroj që të vijnë fëmijët të lahen në këtë det.”

Vlora është një ndër qytetet ku situata e mbetjeve ka përplasur së fundmi edhe kryetarin e bashkisë Dritan Leli me firmën e pastrimit ndërkohë që kërkohet heqja e liçencës kësaj të fundit.