Çmimi i naftës, deputetët e PD padisin Bordin e Transparencës në Kushtetuese

Partia Demokratike do ti kërkoje sot Gjykatës Kushtetuese shpalljen si antikushtetues dhe abuziv  aktin normative   për ngritjen e bordit që  cakton çmimin e naftës, benzinës dhe gazit. Në 25 faqe kërkesë të firmosur  prej deputetëve opozitar, argumentohet pse ky vendim është në shkelje të Kushtetutës ndërsa parashtrohen 5 argumente bazë. Sipas demokratëve bordi u shndërrua në klubin e oligarkëve.

Dashnor Sula: Këto e kanë mendjen vetëm për të zhvatur, edhe ato që kanë para edhe ato që nuk kanë para, mjafton që të pasurohen këto. Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë sa më Shpejtë.

Dhurata Çupi: Ngritja e bordit po dëmton interesin e qytetarëve. Ligjet bien ndesh me kushtetutën. Cënojnë lirinë ekonomike, cënojnë konkurencën në treg.  

Ligjvënësit e opozitës argumentojnë se akti normativ i qeveris është miratuar në kuvend  në shkelje të procedurës parlamentare, për këtë përmendin si argument se  faktet nuk përmbushin kërkesat kushtetuese.

Gjithashtu në padi thuhet se akti normativ është nxjerrë në kundërshtim me nenin 101 të Kushtetutës.

Përveç shkeljeve procedurale, deputetët demokrat argumentojnë se akti normativ që ngriti të ashtuquajturin bordin e transparencës për çmimin e  naftës,  cenon edhe  lirin e  veprimtarisë ekonomike. Për të mbështetur këtë,  ata theksojnë  se miratimi i një akti normativ me fuqinë e ligjit, i cili përcakton krijimin e një Bordi, me pjesëmarrje publike dhe private, që cakton çmimin e gazit, naftës dhe nënprodukteve të tyre, përbën një kufizim në lirinë e veprimtarisë ekonomike.

Është e drejta e çdo operatori ekonomik në treg që të përcaktojë vetë çmimet e produkteve që ai tregton.  Imponimi i çmimeve në mënyrë të detyruar sipas tyre  përbën qartazi një ndërhyrje në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.

Bordi i çmimeve në këndvështrimin e demokratëve  cenon edhe  rregullat e   Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, për konkurrencën.

Në padi ata shprehen  se  pesë përfaqësuesit e kompanive më të mëdha hidrokarbure në vend, ulen në një tryezë së bashku me përfaqësuesit e qeverisë, për të dakordësuar çmimin e shitjes me shumicë dhe pakicë të gazit, naftës dhe nënprodukteve të tyre.

Kjo praktikë është në kundërshtim flagrant me nenin 71, pika 1 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, pasi sipas tyre  kemi të bëjmë me një marrëveshje ndërmjet ndërmarrjeve, të cilat vendosin drejtpërdrejt çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të lëndëve hidrokarbure.  Prandaj parashtruar gjithë argumentet Partia Demokratike I kërkon Gjykatës Kushtetuese që të shfuqizoje  menjëherë aktin normative që ngriti  Bordin e Transparencës I cili prej Marsit të këtij vitin vendos çmimin e naftës, benzinës dhe gazit.