Vlorë, ishte në kërkim për kultivim të 262 kg kanabis, arrestohet 46-vjeçari
Një person i cili ishte shpallur në kërkim për prodhimin në bashkëpunim, të 262 kg kanabis që iu gjetën në banesë është vënë në prangat e policisë.
Arrestimi i tij u bë falë operacionit policor të koduar "Çairet”.
“U arrestua 46 vjeçari Fatbardh Kapllanaj banues në Kaninë, Vlorë, të cilit Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë ''Arrest në burg'', për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në bashkëpunim.”, njofton policia.
Fatbardh Kapllanaj ishte shpallur në kërkim, së bashku me shtetasit E. K., 22 vjeç dhe K. K., 21 vjeç. 21-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua më 12 prill të këtij viti.
Në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit të vënë në pranga sot, Fatbardh Kapllanaj si dhe në një ambient pranë saj, të përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 262 kg kanabis dhe fidanë narkotikë të kultivuar.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. K, të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
