Lojë plehrash në Shijak/47-vjeçari që siguronte jetën nga mbetjet shkakton flakë, Arbana dhe Meta propagandë

Një 47-vjeçar është arrestuar në Shijak pasi kishte ndezur një zjarr për të nxjerrë hekura, që i doli jashtë kontrolli. Ndërkohë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, hodhi akuza ndaj qeverisë për ndotjen alarmante të zonës, dhe kryebashkiaku Elton Arbana foli për zjarrvënie të qëllimshme nga eksponentë të opozitës, pa dhënë asnjë provë për këtë situatë.

Pastrimi i territorit nga mbetjet është deklaruar si arritje e mazhorancës. Por ky masiv në fshatin Gjepalaj të Shijakut tregon se plehrat janë vendosur më në periferi.

Por po aq kjo situatë po përdoret politikisht nga të gjithë palët.

Një zjarr që sipas policisë ka dalë jashtë kontrolli, i një 47-vjeçari që po mblidhte hekura të siguruar mbijetesën zbriti në terren deputetë e efektivë.

Tymi mbuloi disa zona të Shijakut paraditen e së martës, ndërsa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, hodhi akuza për djegie të qëllimshme të mbetjeve.

Meta: Helmohen familjet, tokat gjithçka në këtë vend të bekuar të Shijakut. Mafia merr lekët e plehrave ndërkohë i djeg ato në mënyrën më kriminale duke rrezikuar shëndetin e banorëve. Këtu qeveris mafia e inceneratorëve dhe ushton terror ndaj njerëzve që të mos njoftojnë mediat që të mos njoftojnë politikanë. Edhe i vjedhin edhe i helmojnë edhe i shtypin. Kjo kohë ka përfunduar. Jemi këtu për të treguar solidaritetin tonë me banorët.

Vetë kryetari i Bashkisë së Shijakut nuk ka preferuar të zbresë në terren për të konfirmuar apo verifikuar masivin e mbeturinave dhe ndotjen mjedisore, por u përgjigj në rrjetet sociale.

Elton Arbana nuk ka folur as për hallexhiun që siguronte mbijetesën nga mbetjet, por hodhi akuza për zjarrëvenie të qëllimshme nga njerëz të opozitës, me qëllim përbaltjen e bashkisë.

Arbana: Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita, muaji shtator do të jetë muaji i sulmit dhe ja ku ndodhi një zjarrvënie e qëllimshme në kontenierët e mbetjeve urbane në njësinë administrative Gjepalaj.

Por versionet e zyratyrëve politikë i rrëzoi policia e Durrësit, e cila tha se qëllimi i zjarrit që doli jashtë kontrollit ka qenë nxjerrjen e materialeve metalike nga një 47-vjeçar.

Madje në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar edhe një karrocë dore, me të cilën transportonte materialet metalike që nxirrte nga djegia e këtyre sendeve.

Tashmë do të shihet nëse kryetari i Bashkisë do të ndihmojë të ndaluarin për të siguruar sado pak para për të blerë bukë.