I riu ekstradohet nga Spanja, tre vite në kërkim se i ofroi lekë prokurorit për të liruar nga burgu të vëllanë
Një 31 vjeçar është ekstraduar nga Spanja pasi do të gjykohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë ”, kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore gjithçka nisi në nëntor të 2019 kur Ramadan Dedja ishte arrestuar për "Prodhim dhe shitje" të lëndëve narkotike, ndersa i vëllai, Dritan Dedja ishte shpallur në kërkim.
Atëherë u mësua se Dritan Dedja, më 24 nëntor 2019, u takua me dy persona të tjerë Emirjan Beun dhe Isuf Gegën, ky i fundit e njihte prokurorin Edomond Kariqi që kishte çështjen e Ramadan Dedjes.
Një ditë më pas, Dedja shkoi për të takuar prokurorin në Kukës dhe për të marrë makinën e sekuestruar të të vëllait.
Në dosjen hetimore gjendet i faktuar momenti kur Dedja ka tërhequr nga një Exchange një shumë prej 2200 dollarësh. Paratë iu dhanë prokurorit në një lokal ku prezent ndodhej dhe Gega.
Ndaj Dedaj Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë ”, kryer në bashkëpunim.
