Shkarkimi i Gledis Nanos, Koka: Kam frikë se mos ka ikur me ndonjë USB nga zyra, di që ka informacion pikant për Ramën
Gledis Nano u shkarkua si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit por pikëpyetjet dhe aludimet mbi largimin e tij vijojnë.
Gazetari Bledian Koka në një intervistë për Rtv Ora zbuloi një shkak të mundshëm, që ai thotë se e ka si informacion.
Koka: Rama fitore të tilla pastë por kam hallin mos zoti Nano ka ikur me ndonjë USB nga zyra.Ky është shkaku që me shumë gjasë i kushtoi karrierën zotit Nano. Informacioni që unë kam është se zoti Nano ka një informacion shumë pikant për zotin Rama, se me përgjime, se me video, se me xhirime këtë nuk di të ta them.
Për Kokën, Nano ruajti aq integritet sa të mos bëhet "mish për top" për hallet e Ramës dhe kjo ishte arsyeja që refuzoi dorëheqjen.
Koka: Zotit Nano mund ti jetë kërkuar diçka nga zoti Rama që ai nuk mund ta bënte dot edhe sikur të dinte ta bënte. Rama është mësuar që rreth e përqark të ketë Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Belinda Ballukër, pra njerëz që i binden verbërisht, të gatshëm edhe për të shkelur mbi karrierën e tyre ose mbi fatin e tyre personal si Saimir Tahiri. Njerëz që vetësakrifikohen për zotin Rama. Zoti Nano mesa duket e ka ruajtur kaq integritet sa të mos i nënshtrohet dhe bëhet "mish për top" për hallet e Edi Ramës.
Megjithatë largimi i Nanos sipas Kokës do të ishte i denjë nëse do ishte bërë ditën e tragjedisë së Potamit, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u aksidentua për vdekje nga skafi i shefit të policit Arjan Tase.
Koka: Do ishte në meritën e zotit Nano sikur këtë largim ta kishte bërë ditën kur ndodhi tragjedia e tmerrshme e Potamit. Që në atë moment ti e kupton se këtu ferra ka marrë uratën.
