“Vetëm portierët e dinë rëndësinë e aromës së barit”. Kampioni i botës rrëfen karrierën

Dino Zoff, kampion bote në vitin 1982, një nga emrat më ikonikë të futbollit të kaltër. Kapiten i kombëtares që bëri mrekullinë në Spanjë dhe një nga portierët më të suksesshëm të Italisë në vitet 60-70, flet në librin e tij autobiografik për kujtimet që ka nga fushat e blerta dhe periudhën e vështirë të përshtatjes me jetën larg futbollit.

“Kam luajtur gjithmonë për veten time, ambicje dhe narcizizëm. Shkoja në fushë dhe izolohesha te ajo pjesë e fushës ku ndihesha tërësisht vetvetja. Një ditë kjo magji përfundoi dhe atëherë e kuptova që kishte një motiv shtesë që më mungonte ajo që bëja, aroma e barit.

Vetëm portierët e dinë se çfarë domethënie ka kjo sepse të tjerët rrëzohen ndonjëherë në fushë dhe ngrihen prapë ndërsa portierët punojnë me barin. Praktikisht çdo lëviyje përfundon me hundën në bar.

Më rastis shpesh të mendoj për atë botë timen ku me pëlqente të izolohesha. Atëherë mendoja se do të zgjaste pafundësisht por nuk ishte e vërtetë. Jeta është një parabolë dhe ndjek një skemë fikse si dita dhe nata.

Kur vjen perëndimi nuk mund të ankohesh se të mungon dielli por bën mirë të mendosh se si mund ta kalosh natën në mënyrë sa më të këndshme. Dikush që i ka realizuar ëndrrat, të ëndërrojë sërish më pas është një luks sepse që në moshën 4-vjeçare hidhesha në çdo cep për të kapur topin. Ai ishte fati im, tani ngelen kujtimet”.