“Skenar mafioz politik”, Meta: Autoriteti i Dosjeve ka prodhuar gjeneralitete të rreme

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në konferencë për mediat e quan skenar mafioz politik informacionin e Autoritetit të Dosjeve lidhur me Ilir Metën.

Meta thotë se Autoriteti i Dosjeve ka shkelur parimin e sigurisë juridike. 

Ilir Meta: Sot, kam depozituar pranë organeve të drejtësisë kallëzimin penal ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me shkeljet flagrante dhe të qëllimshme, të ligjit nga ana e tyre, në shërbim të verbër të sulmeve politike të kryeministrit Edi Rama lidhur me mua si ish-President I Republikës, dhe Kryetar i Partisë së Lirisë, forca e dytë opozitare në vend.

Anëtarët e AIDSSH:

1. Kanë kryer shkelje Flagrante të Ligjit të tyre Funksional. Kanë shkelur Parimet e Funksionimit të tyre. Nenit 29/4: Ku shprehet se Personat e Verifikuar ne Komisionet e meparshme, nuk verifikohen me. Gjithashtu, Autoriteti i Dosjeve ka shkelur edhe parimin e njohur kushtetues  “Parimi i Sigurisë Juridike”.

Autoriteti i Dosjeve, pa asnjë kërkesë nga ndonjë Institucion Kushtetues (siç e përcakton ligji funksional), por duke marrë “urdhër” nga një “denoncim anonim”, nis procesin e riverifikimit të një figure publike ish – Presidenti i Republikës (figura më e lartë në hierarkinë e shtetit deri 24 orë përpara verifikimit të AIDSSH) dhe nxjerr “konkluzione shteruese” pa kryer kurrfarë hetimi objektiv, duke marrë plot 7 vendime në 24 orë, kur më e pakta me procedurë normale do duheshin 6 muaj.

"Dosja është deklasifikuar 3 ditë më pas më 29 korrik pra 3 ditë pasi ishin publikuar të dhënat e ‘klasifikuara të dosjes”, tha Mata gjatë deklaratës për media.