Shqiptarët “bëjnë ligjin” në Britani, Daily Mail: Kontrollojnë tregun e kokainës
Fenomeni i emigracionit të paligjshëm nga klandestinët shqiptarë ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave britanike. “Daily Express” raporton se shërbimet e sigurisë kanë frikë se “mbretërit” shqiptarë të krimit, të cilët sipas saj, kontrollojnë pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, po kontrabandojnë rekrutë të rinj në Britani.
Një numër rekord i kriminelëve të huaj jetojnë të lirë në Britani pavarësisht se kanë të drejtë për dëbim. Është ky shqetësimi që vjen nga media britanike “Daily Express”, e cila teksa referon shifrat e “Home Office” thekson se janë 11,561 shkelës “që i nënshtrohen veprimeve të dëbimit”, por janë ende të pranishëm në komunitetin britanik.
Ky numër thuajse është trefishuar gjatë dhjetë viteve të fundit. Numri i shkelësve të huaj që i nënshtrohen veprimeve të dëbimit që ende jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, pesë vjet pas dënimit të tyre është rritur nga 1,191 në vitin 2013 në 3,589 në qershor të këtij viti.
Sipas Daily Express kjo rritje mendohet se ka ardhur për shkak të vendeve që refuzojnë të marrin përsëri kriminelët e tyre.
Numri i shkelësve të shtetasve të huaj që jetojnë në komunitet, pavarësisht se kishin të drejtë për dëbim, filloi të rritet në vitin 2017. Deri në vitin 2018, Britania nuk mundi të nxirrte 6249 emigrantë të huaj. Një vit më pas, shifra u rrit në 7,015 dhe 8,497 vitin e ardhshëm.
Deri në Krishtlindjet e vitit 2020, kjo shifër kishte arritur në mbi 10 mijë dhe që prej asaj kohe njeh vetëm rritje, dhe për këtë tabloidi britanik akuzon se siguria e qytetarëve që i binden ligjit ka më pak rëndësi për qeverinë se sa të drejtat e shkelësve të huaj.
Daily Express shkruan se shërbimet e sigurisë kanë frikë se ‘mbretërit’ shqiptarë të krimit, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, po kontrabandojnë rekrutë të rinj në Britani.
Agjencia Kombëtare e Krimit dhe njësitë rajonale të krimit të organizuar mendojnë se bandat shqiptare, të cilat kontrollojnë shumicën e rrjeteve të kokainës në Mbretërinë e Bashkuar po rrisin mbështetjen e tyre duke sjellë këmbësorë përtej Kanalit.
Gazeta shkruan mes të tjerash se kërcënimi nga bandat shqiptare të krimit të organizuar është “duke ngritur gjithashtu listën e prioriteteve të shërbimit të sigurisë”.