Meta kallëzoi Autoritetin e Dosjeve në SPAK, reagon Balla: Shantazhi absurd, spiuni I.M ai që mendon gjithë Shqipëria

Kreu i grupit parlamentar të PS ka reaguar pas kallëzimit të bërë nga kreu i Partisë së Lirisë ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.

Balla e konsideron si një shantazh absurd ndaj tyre dhe sipas tij është një tjetër arsye për të dyshuar fort se spiuni I.M nuk është askush tjetër, po pikërisht ai që tanimë mendon gjithë Shqipëria.

Sakaq Balla ngre pikëpyetjen se pse Meta nuk bën kërkesën për hapjen e dosjes së tij.

Postimi i plotë:

Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve që vijnë nga familje të persekutuara prej regjimit komunist dhe sot janë kallzuar nga Ilir Meta si falsifikatorë dhe si vegla të pushtetit, ju sugjeroj miqësisht ta marrin këtë zhvillim si ilustrimin e asaj shprehjes: Historia ndodh si tragjedi dhe përsëritet si komedi!

Të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja e tij zonja Genta Sula kanë të gjithë respektin e mbështetjen tonë në punën e tyre. Shantazhi absurd i Ilir Metës ndaj tyre është një tjetër arsye për të dyshuar fort se spiuni I.M nuk është askush tjetër, po pikërisht ai që tanimë mendon gjithë Shqipëria.

Uroj që prokuroria të mos bëhet rëra ku Ilir Meta të fshehë kokën si struci në pafundësi, po të respektojë ligjin, institucionet dhe të drejtat e detyrat e drejtuesve të tyre.

Ndërsa Ilir Meta që s'po le gjë pa bërë, pse dreqin s'po e bën gjënë më të thjeshtë në botë: Kërkesën për hapjen e dosjes së tij! Apo është peng i spiunit I.M?

Ditën e sotme (1 shtator 2022) kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka kallëzuar penalisht 5 anëtarë të Autoritetit të Dosjeve përfshi dhe kryetaren e Gentiana Sula dhe kërkon pezullimin e tyre nga detyra deri në përfundim të hetimit.