Qefalia në gjendje të mirë, Tirana jep lajmin pozitiv për 19-vjeçarin
Frika e madhe kalon për Klevi Qefalian, lojtarin e Tiranës që për shkak të një përplasjeje në fushën e "Egnatia Arena" humbi ndjenjat në fushën e lojës.
Klubi bardheblu jep informacione edhe pse jo të hollësishme por që gjithsesi janë pozitive dhe optimiste për mesfushorin 19-vjeçar që u transportua me ambulancë drejt spitalit ku mori ndihmën e parë.
Nëpërmjet një komunikate të publikuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, Tirana shkruan:
"Stafi mjekësor i KF Tirana njofton se lojtari Klevi Qefalia ka kaluar tashmë gjëndjen e rëndë shëndetësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Klevi do të mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve të specializuar për t’u rikthyer sa më shpejt në gjendjen optimale.
Një fjalë falenderimi shkon për stafin mjekësor të klubit për ndërhyrjen e shpejtë si edhe mjekëve të spitalit të traumës në spitalin ushtarak në Tiranë për kujdesin intensiv ndaj lojtarit. Shërim të shpejtë Klevi, shtëpia jote e dytë pret të rikthehesh sa më shpejt mes nesh".
