Meta s'ka ndryshuar emër as mbiemër/Gjendja Civile i përgjigjet SPAK: Të dhënat në regjistër janë të plota
Kryetari i Partisë së Lirisë nuk i ka ndryshuar të dhënat në gjendjes civile ku është i regjistruar me Ilir Metaj.
Kjo i është konfirmuar zyrtarisht SPAK në përgjigje të procedimit penal që mban numrin 122.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka nisur të marrë përgjigjet e para nga instititucionet sa i përket kërkesave që ka bërë për hetimin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Pas më shumë se dy jave nga nisja e shkresës së SPAK drejt drejtorisë së Gjendjes Civile, kjo e fundit konfirmon se ish-presidenti nuk ka ndryshuar as emrin, as mbiemrin dhe as të dhënat e tjera.
“Në përgjigje të shkresës suaj me nr 7052, drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për sa parashtroni për nevoja të hetimit të procedimit penal nr 122 të vitit 2022, pas verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile rezulton të jetë i regjistruar shtetasi sipas të dhënave të paraqitura me emër mbiemër Ilir Metaj, emri i babait Rexhep, emri i nënës Fiqirete, lindur në Çepan, Skrapar më datë 24.03.1969, me gjendje civile, i martuar. Siç konstatojmë nga verifikimet, shtetasi në fjalë nuk ka ndryshime në përbërësit e gjendjes civile”, thuhet në shkresë.

Nga ana tjetër kërkesa mësohet se u janë dërguar si bankave, Tatimeve, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kadastrës dhe të tjera.
Vetë Meta në reagimet e bëra e ka cilësuar nismën politike dhe qesharake, duke akuzuar se SPAK po përdoret prej kryeministrit Edi Rama.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

