Emigrantët “turistë” po ikin, nis fluksi i udhëtarëve përmes Porteve të Durrësit dhe Vlorës

Kjo fundjavë e fundit e Gushtit po shënon fluks udhëtarësh në Portet e Durrësit dhe Vlorës, pasi mijëra shqiptarë kthehen në vendet e BE ku jetojnë e punojnë pas pushimeve të verës.

Pas pushimeve, emigrantët po kthehen në vendet e Bashkimit Europian ku jetojnë e punojnë.

Në Portet e Durrësit dhe Vlorës vijon fluksi në dalje.

3370 pasagjerë dhe 845 automjete udhëtuan këtë të premte me tragetin e linjës Durrës-Bari dhe 562 pasagjerë 145 automjete drejt Ankonës.

Tre tragete të tjera pritet të nisen drejt porteve Italiane gjatë mbrëmjes duke e çuar në rreth 8 mijë në total numrin e udhëtarëve në ditë. Fluks edhe në portin e Vlorës.

Nga e hëna deri të enjten, kanë dalë 9121 pasagjerë dhe 2006 automjete.

Për të shfrytëzuar kapacitetet për mjetet e udhëtarëve në tragetet që nisen nga Vlora, nuk janë pranuar mjetet e tonazhit të rëndë të transportit.

Fluksi në dalje në porte pritet të vazhdojë përgjatë gjithë fundjavës, ndaj autoriteti portual dhe policia kufitare thonë se kanë marrë masa.

Në portin e Durrësit janë vënë në dispozicion 16 sportele për udhëtarët me automjete dhe 10 për ata pa makina.