Meta ish sigurims? Gentiana Sula: Kemi patur dyshimet tona, verifikuam arkivën e komisioneve Mezini dhe Bezhani

E vënë në lëvizje nga një indicie përmes një emaili, Autoriteti i Dosjeve pak kohë më parë i nisi një shkresë kuvendit, ashtu si dhe për 5 raste të tjera më herët, se ishte vënë në dijeni për ekzistencën e një dokumenti që e lidhte ish-krytarin e shtetit Ilir Meta me ish-sigurimin e shtetit.

Drejtuesja e Autoritetit për Informimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, i tha Zërit të Amerikës, se kanë pasur dyshimet e tyre por më pas administruan arkivin e komisioneve Mezini dhe Bezhani.

“Ne kemi patur dyshimet tona, administruam të gjithë arkivin e tyre. Praktikat që kanë sjellë në këto vendime ne i kemi marrë diku të paplota, diku pa firmë, pa vulë, pa relacione të hollësishme. Komisionet Mezini dhe Bezhani thjesht kanë bërë verifikimin përmes institucioneve të tjera, në atë kohë i ka bërë SHIK-u dhe Minstria e Brendshme verifikimet, ndërsa në rastin tonë arkiva është e gjitha këtu dhe kjo krijon një mjet të rëndësishëm për besimin, pasi jep instrumentin këtu në dorë.

Ndërkohë deri dje thuhej “ka dosje individi” dhe përmendej fjala dosje me një emër e kujt është dosja, ndërsa sot objektivi ynë është që përmes dosjes të shkohet tek dokumentet që ka brenda në dosje dhe përtej saj të shkohet tek dhënat që prodhohen brenda në dokument. Pra pa e disponuar arkivën nuk e bën dot këtë analizë. Ne kemi dhe arkivën por dhe stafin e specializuar, gjë që i ka munguar dy komisioneve të mëparshme”, thotë Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Verfikimi i para 20 viteve me atë tani, sipas kryetares së autoritetit Gentiana Sula, është më i saktë për shkak të një arkive më të plotë, si dhe mundësisë së një hulmutimi më të thellë si pasojë e modernizimit të saj.

Autoriteti sugjeronte heqjen e nenit nga ligji për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që ndalon verifikimin e personave të çertifikuar nga dy komisionet e mëparshme.

Në vijimësi Autoriteti i ka kërkuar Kuvendit ndryshime ligjore që sanksionojnë detyrimin e verifikimit të çdo kandidati për detyra të larta, por dhe personave që propozohen për dekorime dhe medalje.