Berisha dhe Meta bashkë kundër Ramës: Janë përpëlitjet e fundit të një regjimi kriminal
Opozita qëndron në të njëjtin mendim sa i përket nismës së SPAK për të hetuar Ilir Metën.
Kryetari i Partisë Demokratike shprehet se është Edi Rama ai që po bën gjithçka për të dëmtuar opozitën.
Berisha: Edi Rama bën gjithçka kundër opozitës, por pa sukses, kështu që treni ynë nuk ndalet. Këtë fiksojeni!
Edhe një herë Berisha konfirmoi se pavarësisht ndasive me Metën do të jetë në një koalicion me Partinë e Lirisë.
Edhe kryetari i Partisë së Lirisë në reagimin e tij në Facebook shprehet se hetimet për aferën e incineratorëve dhe të zhvendosjes së portit të Durrësit që për të ka kosto 5 miliardë euro nuk do të ndalen.
Meta: Hetimet tona vazhdojnë të thellohen dhe rëndohen jo vetëm për aferën e zezë të inceneratorëve, jo vetëm për superaferën e Portit të Durrësit kosto e të cilit mund të shkojë deri në 5 miliardë euro për taksapaguesit durrsakë dhe shqiptarë, por edhe për shumë afera të tjera, garant dhe përfitues kryesor i të cilave është Ramoviçi dhe për të cilat do të përgjigjet deri në një.
Më tej Meta shprehet se përpjekjet e dëshpëruara për të keqpërdorur krijesat e partisë në drejtësi për të zhvendosur vëmendjen e publikut tregojë vetëm përpëlitjet e fundit, sipas tij të një regjimi kriminal.
Meta: Përpjekjet e dëshpëruara për të keqpërdorur “krijesat” e Partisë në drejtësi për të spostuar vëmendjen e opinionit publik me “hetime” qesharake ndaj drejtuesve të opozitës tregojnë vetëm përpëlitjet e fundit të regjimit kriminal për të shtyrë me ditë dhe javë llogaridhënien e tij të pashmangshme.

