Hetimi i Metës, SPAK letërporosi dhe në SHBA
Ish presidenti Ilir Meta dhe persona të tjerë do të thirren si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit.
Gjithashtu prokuroria SPAK do të drejtohet me letërporosi drejt SHBA-së për të marrë në pyetje kompanitë e lobimit informon Ora News përmes gazetares Keti Banushi.
Ora News mëson se ai po hetohet për veprën penale të "korrupsionit pasiv" sipas nenit 259 të Kodit Penal dhe veprën penale e "falsifikimit të formularëve" sipas nenit 190 të Kodit Penal.
Hetimi për Metën ka nisur për shkak të një kallëzimi të bërë në qershor 2022 nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili kallëzoi edhe bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi duke pretenduar se personat e denoncuar prej tij duhet të akuzohen për pastrim parash dhe korrupsion.
Valteri deklaroi atëherë në një prononcim pas dorëzimit të kallëzimit penal: Janë paguar qindra mijë euro për lobim për pastrimin dhe ngritjen e figurës së Ilir Metës ndërkohë që janë deklaruar qindarka. Artikujt e Mother Jones dhe gazetës autriake kanë bërë publike fatura me vlerë qindra mijëra euro në shërbim të pasurisë. Meta, Kryemadhi dhe Tavo që do të kallëzohen në ditët në vijim do të përballet me fakte konkrete ku paratë e marra nga korrupsioni kanë bërë këto transferta shtetërore. institucionet shtetërore flenë gjumë, ku korrupsioni gjatë kohës që kanë qeverisur dhe nuk janë dënuar për aferat e shumta. Të dhënat i kam nga gazetarë të huaj.
Pas padisë së parë, deputeti Halit Valteri bëri një shtesë kallëzimi në SPAK në datën 16 qershor duke zgjeruar numrin e personave në hetim teksa theksoi se ka dorëzuar edhe prova të reja për abuzime tek AKBN, dosjen e Almir Rrapos dhe video skandalin me Dritan Priftin.
Më 23 gusht 2022 Kryeprokurori Arben Kraja përmes një kërkese i ka kërkuar KQZ të dhëna gjatë muajit gusht nga KQZ dhe gjendja civile në kuadër të këtij procedimi. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi në lidhje me hetimet e SPAK, duke deklaruar se vendimi në fjalë është një shërbim që i bëhet mafies së incineratorëve.
Vetë Meta reagoi ditën e djeshme duke e quajtur SPAK-un si një institucion të kapur nga mafia e inceneratorëve.
Ndërkohë reagoi dhe SHBA duke deklaruar se vijonte të mbështeste SPAK në punën e saj dhe e quajti të papranueshme ndërhyrjet



