Pa vetting s'kanë frikë/ Efektivët shfaqen në rrjetet kriminale, ekspertët: Të mos kontrollohen vetëm drejtuesit
Ndërprerja e procesit të vettingut në radhët e policisë së shtetit sipas ish-drejtuesit të policisë, Fation Softa, ka lënë hapësira që efektivët të përfshihen në krime.
Sipas Softës ky proces për një periudhë kohe ka dhënë efekte pozitive duke identifikuar ata që shkelin uniformën.
"Ky lloj boshllëku apo kjo lloj hapësire është mbushur me shumë korrupsion dhe nuk është se kjo e nderon përkundrazi e rëndon situatën e të zgjedhurve në vetting sepse vështirësitë që ka vettingu, sepse një reformë në drejtësi nuk do të ishte e plotë nëse nuk do të kishte reformë dhe në polici apo struktura të tjera që janë pjesë e të njëjtës barrë".
Ish-funksionari i policisë e vlerëson të gabuar faktin që procesi po mbikqyret nga ish-punonjësit e SHÇBA, që tashmë është Agjencia e Mbikqyrjes Policore, dhe jo nga ata të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit siç ishte në fillim.
"Mendoj se do të ishte më i besueshëm nëse do ishte një alternim. Pra do kishim institucionin e ngarkuar me ligj. Patjetër persona jashtë politikës në radhë të parë, por jashtë edhe institucioneve shtetërore në mënyrë të tillë që ta bënte të besueshme. Duam apo nuk duam është politika ajo që drejton."
Përveç drejtuesve të policisë së shtetit, sipas ekspertit duhet të jetë një filter edhe për punonjësit e forcave speciale dhe ato operacionale kjo për shkak të detyrës që ata mbajnë duke zotëruar informacione të klasifikuara por edhe peshën që mbajnë në hetimet e ngjarjeve.
