Kreu i SPAK kthehet nga Uashingtoni e nis punën, takimin e parë e bën me ambasadoren Yuri Kim
Kreu i SPAK Arben Kraja është rikthyer në Tiranë pas vizitës zyrtare që pati në Washington në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dhe duket që Kraja takimin e parë e ka bërë me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim e cila në twitter publikoi një foto ku ata të dy bisedojnë me njëri tjetrin, shoqërur me shpjegimin “E kënaqur që mirëpres kreun e SPAK, Arben Kraja pas vizitës zyrtare në Uashginton e cila do të forcojë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ne do të vijojmë të mbështesin fort punën e SPAK dhe institucioneve të tjera në reformën e drejtësisë” thuhet në postim.
Pikërisht sot SPAK bëri të ditur se kishte nisur hetim ndaj ish presidentit Ilir Meta pas kallëzimit të bërë ndaj tij nga Halit Valteri.
Kryeprokurori Arben Kraja ka kërkuar të dhëna gjatë muajit gusht nga KQZ dhe gjendja civile në kuadër të këtij procedimi.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi në lidhje me hetimet e SPAK, duke deklaruar se vendimi në fjalë është "një shërbim që i bëhet mafies së incineratorëve."
Menjëherë pas kësaj reagoi ambasadorja e SHBA-së e cila tha se kërcënimet, nxitjet dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi në Shqipëri nuk duhet të pranohen më si "normale"
"Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe/ose të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar, mosndëshkueshmërisë së tyre mund t'i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush - ASKUSH - nuk është mbi ligjin" thuhej në reagimin e ambasadores.
Vizita ne Uashington
Kreu i SPAK dhe një grup hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit vizituan në fillim të gushtit Uashington D.C. , ku u takuan me zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit, Byroja Federale e Hetimit (FBI), Administrata për Luftën Ndaj Narkotikëve (DEA), Qendra për Koordinim dhe Analizë e Maryland, dhe Departamenti i Policisë së Baltimorës (BPD).
Ata u takuan edhe me një drejtues të Departamentit të Drejtësisë, i cili ka udhëhequr hetimet dhe ndjekjet penale të nivelit të lartë për korrupsionin publik si prokuror federal.
Më pas ata u trajnuan në Akademinë e FBI-së në Quantico, Virxhinia.


