"Do kesh fundin e merituar", Berisha: Rama po falsifikon fakte e dokumente kundër Ilir Metës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me nisjen e hetimit të SPAK për ish-presidentin Ilir Meta, sot kryetar i Partisë së Lirisë.

Berisha akuzon Ramën se Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij.

Berisha: Edi Rama, je i pashpresë! Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, gjykimi dhe ndëshkimi popullor për vjedhjet e mëdha me aferat e djegësve, portit të Durrësit, Butrinit me prokurimet sekrete, PPP, bordet e çmimeve stratosferike dhe aferat e tjera që mbajnë firmën e tij, Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij. Me qëllimin e vetëm fabrikimin, falsifikimin, manipulimin e paskrupullt të pseudo-fakteve, pseudo-dokumenteve për kundërshtarët politikë, në rastin konkret kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Teksa dënon aktet, Berisha  i thotë Ramës se është i pashpresë dhe se nuk do mund ti shpëtojë dot ndëshkimit popullor me shpifje e falsifikime.

Berisha: Duke dënuar me forcën më të madhe këto akte të shëmtuara të regjimit mafioz të Edi Ramës, të bazuar në dhunimin e votës së qytetarëve, vjedhjen e papermbajtur te pasurive dhe fondeve publike, drogën dhe krimin, i them vasalit të Aleksander Vuçiç-it se je i pashpresë dhe se, nuk ka manipulim, shpifje apo falsifikim as dhe ligj i votuar nga mazhoranca kallpe që do të shpëtojë ty nga ndëshkimi i rëndë popullor. Ti dhe shteti yt mafioz njëpartiak do të keni fundin e merituar!