Valteri i bën “gropën” Metës, SPAK kërkon formularin e vetëdeklarimit për ish-presidentin
Zëdhënësja e SPAK i është përgjigjur interesit të medieve lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar KQZ-së për një kopje të formularit të vetëdeklarimit të ish-presidentit Ilir Meta.
Ajo sqaron se kërkesa që mban datën 23 gusht 2022 është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri.
Ndërkohë që ajo nuk ka preferuar që të japë ndonjë informacion tjetër për çështjen duke shtuar vetëm që hetimet vazhdojnë.
Ishte ish-deputeti Halit Valteri i cili në 7 qershor kallëzoi në SPAK presidentin Ilir Meta pas lajmit të publikuar nga një media austriake për lobim.
Asokohe ai tha se kishte marrë dijeni për fakte të reja të panjohura më parë për lobimet e LSI në SHBA, me vlerë rreth 700 mijë dollarë, për të cilat i kërkoi SPAK-ut të fillonte hetimet.
Përveç ish-presidentit Ilir Meta, Valteri paditi në SPAK edhe ish-kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi si dhe ish-deputetin Vangjel Tavo dhe disa persona të tjerë për veprat penale korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.
Valteri pretenduar se personat e denoncuar prej tij duhet të akuzohen për pastrim parash dhe korrupsion ndërsa ka akuzuar edhe institucionet shtetërore për mosveprim.
Valteri deklaroi atëherë në një prononcim pas dorëzimit të kallëzimit penal: Janë paguar qindra mijë euro për lobim për pastrimin dhe ngritjen e figurës së Ilir Metës ndërkohë që janë deklaruar qindarka. Artikujt e Mother Jones dhe gazetës autriake kanë bërë publike fatura me vlerë qindra mijëra euro në shërbim të pasurisë. Meta, Kryemadhi dhe Tavo që do të kallëzohen në ditët në vijim do të përballet me fakte konkrete ku paratë e marra nga korrupsioni kanë bërë këto transferta shtetërore. institucionet shtetërore flenë gjumë, ku korrupsioni gjatë kohës që kanë qeverisur dhe nuk janë dënuar për aferat e shumta. Të dhënat i kam nga gazetarë të huaj.
Pas padisë së parë, deputeti Halit Valteri bëri një shtesë kallëzimi në spak në datën 16 qershor duke zgjeruar numrin e personave në hetim teksa theksoi se ka dorëzuar edhe prova të reja për abuzime tek AKBN, dosjen e Almir Rrapos dhe video skandalin me Dritan Priftin. Ndërkaq, kur ishte ende në presidencë, Ilir Meta i hodhi poshtë akuzat të cilat i cilësoi si manovër politike.
"Lajme absurde si vetë personazhet nuk krijojnë asnjë shpërqëndrim. Ata që janë në kërkim të letrave për azil për ti shpëtuar drejtësisë, edhe të tjerë që janë këtu që vijojnë biznesin e incineratorëve të vazhdojnë të bëjnë më të mirën e tyre" deklaroi Ilir Meta më 21 qershor 2022.
SPAK heton Meten
Kryeprokurori Arben Kraja ka kërkuar të dhëna gjatë muajit gusht nga KQZ dhe gjendja civile në kuadër të këtij procedimi.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi në lidhje me hetimet e SPAK, duke deklaruar se vendimi në fjalë është një shërbim që i bëhet mafies së incineratorëve
