Vrasje me kallash në Vaun e Dejës, qëllohet për vdekje 51-vjeçari, në kërkim autori
Një vrasje më kallashnikov ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (23 gusht) në fshatin Shelqet, Vau i Dejës.
Mësohet se ngjarja e shënuar rreth orës 03:00 ka ardhur pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se Alfons Palushani, 37 vjeç, banues në fshatin Stajkë, Vau i Dejës, ka vrarë me armë zjarri Agron Metushi, 51 vjeç, banues në Shkodër.
“Nga veprimet e shpejta dhe hetimet paraprake të kryera nga Policia, dyshohet se konflikti për motive të dobëta ka nisur në lokalin e fshatit dhe menjëherë shtetasi A.P., ka shkuar në banesë ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe në momentin që shtetasi A.M. ka hipur në automjetin e tij për tu larguar shtetasi A.P. e ka qëlluar me armë zjarri.” – njoftoi sot policia.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tij.
