Jo më king-maker/ Meta: Partia e Lirisë do t'ia japë pushtetin Kingut, jam specializuar për përmbysjen e diktaturave
E konsideruar gjithmonë si një "king-maker" i politikës shqiptare, Partia e Lirisë bashkë më emrin duket se ka ndryshuar edhe strategjinë e saj politike.
Këtë e bëri të ditur kryetari i saj Ilir Meta nga Jala ku tha partia, drejtimin e të cilës e rimori, nuk është më për të vendosur ekuilibra por synon që pushtetin t’ja japë sovranit përmes referendumit.
Meta: Ne këtu kemi pastrimin e parave, kemi ekspansionin e Ndragetës, ne këtu kemi kullat me 4-5 mijë euro metri katror sepse mendojnë që të vijnë ti blejnë ata që do ti japim pasaporta. Ndërsa për një çift të ri, ne e dimë sa vite do ti duhet për të marrë një shtëpi në Tiranë. Atëherë rruga më e mirë të ikim jashtë dhe të krijojmë jetën andej.
Partia e Lirisë nuk synon te jete forcë “king-maker”, të jetë një parti që vendos ekuilibra dhe balanca, por PL synon që pushtetin t’ja japë kingut dhe kingu është sovrani. Shqipëria do jetë e sovranit sot dhe përgjithmonë. Shqipëria do jetë e të rinjve dhe të rejave sot dhe përgjithmonë. Ky është dallimi mes PL dhe cdo force tjetër. Ne do të bëjmë që demokracia të lëvize dhe të mos bjerë më në gjumë. Sepse një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë.
Të rinjtë janë fuqia më e madhe për ta shembur këtë diktaturë të kalbur dhe të droguar. Këtë diktaturë të një sekti pervers që nuk ka asnjë normë morale dhe familjare. Jo vetëm kaq, por që është gati të shesë cdo interes sovran të kombit tonë edhe për të shtyrë një muaj më shumë në pushtet. Ndërsa ne jemi të vendosur, asnjë minute kësaj qeveri gangsterësh. Kjo histori ka përfunduar. Këtu unë do t’ju ftoja që të vazhdoni programin tuaj, unë do të jem gjithë këto ditë për të diskutuar për temat. Edhe unë kam nevojë. Mua më pëlqen të luaj në ekip. Më pëlqen të luaj për ekipin dhe e treta fitoren e kemi të padiskutueshme.
Aksionin opozitar të forcës së tij politike, Meta e konsideroi si një “luftë kundër tradhtarëve”.
Meta: I shikoni si janë nxirë këta. U është prishur fytyra. Të jeni të sigurt që do e kenë të vështirë të vijnë në këto zona kur të dëgjojnë bëmat e tyre. Dhe llogarinë përpara drejtësisë për të gjitha gjërat që kanë bërë kundër interesave tona. Përpara jush, është një njeri që është rritur dhe është specializuar për përmbysjet e diktaturave. Në këtë betejë që kemi nisur sëbashku pas 25 korrikut, të jeni të sigurt se duke bashkuar zemrat, ëndrrat tona me gjithë shqiptarët patriot kudo që janë, ne do ta bëjmë Shqipërinë shumë shpejt, jo vetëm një vend plotësisht demokratik, por një vend shumë më të gëzueshëm, një vend më të jetueshëm. Ku bashkëpunimi dhe dashuria mes shqiptarëve do mbizotërojë.
Ai tha se qeveria e drogës është duke ikur dhe se ka ardhur koha e llogaridhënies, duke paralajmëruar këtu edhe kryeministrin Edi Rama.
Meta: Shqipëria në javët që vjen ndahet njëherë e përgjithmonë me rrugën e gënjeshtrave, me rrugën e pabesisë ndaj interesit kombëtar dhe armiqësisë ndaj interesit publik. Ndahet me kohën e eleminimit të llogaridhënies. Të gjithë do përgjigjen përpara ligjit, do përgjigjen për gjithçka kanë bërë. Prandaj i kam bërë thirrje administratës publike që të mos firmosin shkresa për qeverinë në largim. Boll ka futur në burg bedela Rama, tani rradhën e ka vetë. Ne kemi hyrë në një luftë kundër tradhtarëve. Le të fillojmë pas këtij kampi të mrekullueshëm në të gjitha sheshet e Shqipërisë. Qeveria e drogës është duke ikur. Qeveria e rinisë do vijë shumë shpejt.
